Dokumenti që dëshmon prejardhjen ilire të shqiptarëve (FOTO)

Share Messenger

Nga Prof. Dr. Jahja Drançolli

Ilirët kanë qenë një nga popullsitë më të mëdha të Europës. Ata banonin në një trevë të gjerë, që përfshinte pjesën perëndimore të Ballkanit, gjatë bregdetit të Jonit e të detit Adriatik dhe rrëzë Alpeve. Brenda kësaj hapësire jetonin një numër i madh fisesh ilire, të vogla e të mëdha. Për rëndësinë e ilirëve në qytetërimin Europian, ilirologët e shquar botëror shprehen se, “çdo tregim për Ballkanin fillon me ilirët”. Që nga gjysma e dytë e shek. XIX dhe deri me sot, janë bërë përpjekje nga disa qendra ballkanike, për të ngushtuar territorin e banuar nga ilirët.

 

Në këtë vazhdë është shtruar zhurmëshëm edhe çështja ilire në kontekstin e etnogjenezës së shqiptarëve. Ndonjë autor i djeshëm dhe sotëm duke u mbështetur në politikën ditore ka shprehur aspirata për “përmbysjen” e realitetit historik të ilirëve në përgjithësi dhe, në veçanti, për njërin ndër fiset më të rëndësishme ilire, siç ishin dardanët. Kështu, akademiku serb, D. Bogdanoviq, i njohur me teza extrashkencore, tezat për etnogjenezën ilire të shqiptarëve i ka quajtur teza raciste, meqë si të tilla ato sforcojnë një territorin etnik vetëm të një populli dhe përjashtojnë nga territori në fjalë popullatat të tjera. Një historian tjetër serb, M. Mladenoviq, historinë e etnogjenezës ilire të shqiptarëve e quan për “mjegullnajë arkeologjike”, e cila bëhet vetëm për qëllime, që të realizohet e drejta historike e shqiptarëve për “gjoja atdheun e paraardhësve të tyre parahistorik”.

Mirëpo, të dhënat burimore-historike, arkeologjike, etnografike ofrojnë prova të sigurta për kontinuitetin iliro-arbëror, jo vetëm në territorin e sotëm të Kosovës, por në hapësirën e gjerë të Ilirisë së Jugut. Së këtejmi, qysh nga mijëvjeçari i parë para Krishtit, territoret e sotme të banuara me shqiptarë paraqesin një unitet kulturor e etnik të iliro-arbërve. Praninë e etnosit ilir në arealin e sotëm të Shqipërisë Natyrore e dëshmojnë edhe historianët dhe gjeografët antikë. Kështu, Herodoti (shek. V para Kr.) në Historinë e tij të njohur na bën me dije se Dardania e lashtë qe pjesë përbërëse e trojeve ilire. Historiani romak Apijani, si dhe gjeografi Straboni, shkruajnë për iliricitetin e dardanëve. Pliniu zulmëmadh konstaton se lumi Vardar ndante Dardaninë prej Maqedonisë. Ndërkaq, historiani i shquar romak, Tit Livi shkruan për luftërat kufitare dardano-maqedonase e për pushtimet romake në Dardani. Polineu bën fjalë për organizimin e shtetit Dardan nga gjysma e parë e shek. III. para Kr. Po ashtu, kartografia e kohës antike, si, p.sh. Tabula Peutingeriana dhe gjeografi i shquar Ptolomeu ofrojnë të dhëna për shtrirjen gjeografike të ilirëve edhe në kontekstin e kontibnuitetit iliro-arbëror.

Në mesjetë arbërit shfaqen si një popullsi e vjetër e krishterë me një kulturë më tepër qytetare, e cila qëndronte më afër grekëve dhe romanëve se sa sllavëve të ardhur rishtas. Për vjetërsinë e krishterimit te iliro-arbërve dëshmojnë burimet historike dhe arkeologjike. Kisha iliro-arbërore, përkundër masave administrative që kanë ushtruar perandorët bizantinë mbi te, përherë ka mbetur në unitetin shpirtëror dhe kanonik me Romën-papatin. Në këtë kontekst, Kisha iliro-arbërore do të jetë më vonë element i fortë krishterizues i ardhësve në troje ballkanike. Pikërisht ky fakt flet fuqimisht në dobi të kontinuitetit të etnogjenezës iliro-arbërore. Në dobi të tezës në fjalë flasin edhe një varg objektesh të kultit të krishterë, të cilat sot dëshmohen vetëm nga gjetjet arkeologjike, meqë ato nëpër shekujt e historisë ishin rrënuar nga ardhësit jo të krishterë. Një dëshmi e fuqishme për ekzistimin e kishës së krishterë dardane ç’prej antikitetit, përkatësisht ç’prej legalizimit të krishterimit të sanksionuar edhe me Koncilin e Nicesë më 325, dhe  deri në shek. XVII do të ndeshim në terminologjinë kishtare administrativo-juridike të Vatikanit, ku Dradania gjithherë ka figuruar si njësi kishtare më vete.

Sipas dëshmive që dalin nga dokumentet mesjetare, ilirët, përkatësisht arbrit pothuajse në parim mbanin dy emra: i pari, ishte një emër i krishterë (rrallëherë romak ose kombëtar), kurse i dyti ishte shpesh emri i farefisit ose i fshatit (më rrallë emërtimi i një tipari vetjak).

Me invadime të popujve në Ballkan përgjatë shek. IV-VII, kishte pësuar edhe karta kishtare e Dardanisë. Gjatë kësaj periudhe pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvore të Dardanisë, siç janëShkupi, Ulpiana, Nishi e Remisiana. Gjatë këtyre trazirave u ndërprenë edhe lidhjet me papatin, për t’u shkëputur gati tërësisht nga mesi i shek. VIII kur Iliriku Lindor i’u bashkëngjitë Kostandinopojës. Jashtë ndikimit të kishës bizantine mbeti ende Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit, institucione, këto që janë që nga fillimet e organizimit institucional në këto treva.

Është e njohur se gjatë mesjetës së hershme (VI-XI) trojet shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të papatit, ndërkaq në aspektin administrativo-juridik qenë të lidhura me Perandorinë Bizantine. Përfundimisht, me ndarjen e Kishës në vitin 1054 në Kishën Perëndimore (katolike) me qendër në Romë dhe në Kishën Lindore (ortodokse) me qendër në Kostandinopojë, një pjesë e trojeve shqiptare mbeti nën ndikimin e Kishës katolike, përkatësisht qytetërimit perëndimor, derisa pjesa tjetër mbeti nën ndikimin e Kishës lindore-ortodokse. Meqë, shteti i Rashës (Serbisë) nga kapërcyelli i shek. XII kishte përqafuar fuqimisht jo vetëm ritin bizantin, por edhe ligjet e errëta të tij, të mishëruara me ortodoksinë pansllave, bëri presion të përhershëm jo vetëm te besimtarët katolikë, por edhe te besimtarët ortodoksë të ritit bizantin për t’i konvertuar në ritin ortodoks serb. Për konvertimin e shqiptarëve bëhet fjalë edhe në nenet e Kodit të Dushanit. Këtë dukuri, si dhe kthimin e kishave katolike në serbo-ortodokse, pohon edhe vetë perandori Dushan në një letër “pendimi“, që mbanë datën e vitit 1354 për papën Inocent VI. Me këtë politikë mbretëritë serb, sidomos Dushani synonte në thelb të zhdukte barrierat kulturore e fetare, që i veçonin e i dallonin shqiptarët si të tillë. Pra, kjo politikë shpinte drejt një asimilimi etno-kulturor të shqiptarëve. Pasojat e kësaj politike të dhunshme duken me një qartësi të veçantë në të dhënat antroponomike, gjë që shihet më së mirë nga krisobulat e mbretërve nemanjidë dhuruar manastirit të Deçanit, Banjskës, Graçanicës, Shenjëtorve Mihal e Gabriel në Prizren.

Fuqizimi i principatave arbërore: Arianiti, Balshaj, Dukagjini, Kastrioti, Muzaka e Topia (shek. XIV-XVI), kishte ndikuar madje edhe me përmasa ndërkombëtare në afirmimin e traditës së lashtë iliro-arbërore, çështje kjo që është realizuar sidomos në kohën e periudhës së Humanizmit dhe të Rilindjes Europiane. Mirëpo, siç do të shohim më vonë sundimi pesëshekullor osman  dukshëm do ta dobëson këtë traditë mijëvjeçare.

Më poshtë do të ilustrojmë, një prej dëshmive zyrtare me përmasa ndërkombëtare, ku nëpërmjet të këtij mbishkrimi paleografik provohet prejardhja ilire e shqiptarëve, përkatësisht kontinuiteti iliro-arbëror. Dokumenti origjinal (faksimilët, që i referohen çështjes në fjalë po i sjellim më poshtë) ruhen në Arkivin Shtetëror të Milanos (Arichivio di Stato di Milano, Carteggio Sforzesco), dhe mes tjerash shkruhet kështu:

Më 31 tetor1460: “[…] Edhe pse thoni se me Arbërit nuk do të mundem për të ndihmuar as për të mbrojtur as për të dëmtuar armiqtë e tij të fuqishëm, Ju përgjigjem se, në qoftë se kronikat tona nuk rrejnë, ne thirremi Epirotë, dhe duhet të dini se në kohë të ndryshme të parët tonë kaluan në vendin, që Ju keni sot dhe kanë bërë luftë të madhe me romakët edhe nuk u turpëruan por dolën faqebardhë […].”

Teksti i transkribuar dhe i transliteruar: Ultimo octobris 1460: “Et perché dicite che con Albanesi non bastarò ad ad ayutarlo né ad defendere né a dampnificare li possenti soi nemici ve respondo che, se aio mutato lo effecto et se le nostre croniche mon menteno, noy ne chiamano Epiroti et dovete havere noticia, che in diversi tempi de li nostri antecessori passassero nel paese che hogi Voy tenete hebbero con Romani grande battaglie et trovamo ut plurimum, che hebeno piùtosto honore che vergogna […].”

(Dokumenti origjinal i Arkivit Shtetror të Milanos është i vendosur si foto në ballinë)

Share Messenger

Më të lexuarat