Challandes thotë se Kosova s’guxon të veprojë si Ajaxi në Champions League

Share Messenger

Kosova ka nisur të dielën përgatitjet për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë, me ç’rast, edhe Bernard Challandes është paraqitur para mediave për të komentuar gjendjen e skuadrës dhe kundërshtarët.

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin qershor në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Fillimisht, më 7 qershor, Kosova përballet me Malin e Zi dhe tre ditë më pas me Bullgarinë.

Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes, pas stërvitjes së parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, është paraqitur para mediave.

Si gjithmonë, ai nuk ka dashur të flasë për pikët që Kosova synon nga këto dy takime.

Challandes dëshiron që Kosova të bëjë lojën siç di, edhe nëse kjo do t’iu kushtonte me humbje.

Si shembull ai ka marrë Ajaxin që në Champions League, duke bërë lojën e saj, eliminoi Juventusin dhe Real Madridin, kurse duke u mbrojtur pas rezultatit 3-0 me Tottenhamin, u eliminua sepse pësoi tre gola për 45 minuta.

“Nëse marrim një barazim në Mal të Zi gjithë do të jenë të lumtur, por kjo nuk është mënyra që mua më kënaq sepse ekipi duhet të ketë guximin”, tha Challandes.

“Ne duhet të provojmë, duhet të rrezikojmë, besoj se kjo është detyra ime që t’ua jap këtë mentalitet edhe futbollistëve, t’ua jap mentalitetin dhe këtë mënyrë të të menduarit që të kenë guxim për të kërkuar gjithmonë maksimumin dhe vetëm në atë formë mund të jemi të kënaqur me rezultatet që mund t’i marrim në vazhdimësi”.

“Nëse nuk rrezikojmë për të provuar të marrim maksimumin tonë, atëherë s’mund të jemi të kënaqur për mënyrën se si jemi paraqitur. Kemi shembull nga Liga e Kampionëve dhe kampionate të ndryshme ku kemi parë rezultate të pabesueshme”.

“Ndonjëherë ndoshta edhe pësojmë humbje 3-0, 3-2 apo 4-3 por duhet ta kemi parasysh gjithmonë se kemi provuar të luajmë në mënyrën tonë dhe të japim maksimumin. Shembull tipik mund të jetë Ajaxi sepse u mposht nga Tottenhami duke u mbrojtur, u shndërrua në një skuadër defensive, derisa me mënyrën e lojës së saj (ofensive – futboll të bukur) arriti deri aty (eliminoi Juventusin e Real Madridin). Kështu që duhet të rrezikojmë, këtë frymë të të menduarit më duhet ta bartë te ekipi dhe futbollistët”, theksoi tekniku 67-vjeçari.

“Duhet të luajmë për fitore, vetëm për fitore dhe jo të mendojmë na duhet 10 pikë, 14 pikë, për kualifikim. Duhet të luajmë çdo ndeshje për fitore, gjithmonë dhe në fund do të shohim se sa pikë do të kemi”.

Share Messenger

Më të lexuarat