Çeki – Kosovë: Beteja për ëndrrën e kualifikimit në EURO 2020

Share Messenger

Pas një rrugëtimi mbresëlënës të deritanishëm drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, Kosova sonte kërkon ta mbajë gjallë ëndrrën, përderisa Çekia synon ta bëjë atë realitet.

Çekia e pret sonte Kombëtaren e Kosovës në stadiumin Doosan Arena, në Pilsen, në orën 20:4 për ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020.

Çekët do të jenë përgatitur për të festuar në Doosan Arena, pasi që, me fitore kundër Kosovës, ata e sigurojnë kualifikimin në Evropian.

Megjithatë, Kosova e Bernard Challandes – që e kishte mposhtur Çekinë me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë në Prishtinë – e ka qëllim të ia prish festën çekëve, pasi që edhe vet e kërkon kualifikimin në EURO 2020, për të cilin mund të vazhdojë të luftojë nëse merr fitore ose barazim në Pilsen.

Mirëpo, trajneri Challandes nuk e ndien presionin për të fituar në këtë ndeshje, përkundër që e pranon se djemtë e tij mund ta arrijnë kualifikimin nëse bëjmë një lojë të përsosur.

“Mendoj se ne e dimë ekzakt se kush jemi, se kush është Çekia. Gjatë shortit, ne e dinim se e para dhe ekipi më i fortë ishte Anglia, pastaj e dyta Çekia, e treta Bullgaria dhe i katërti Mali i Zi, kurse Kosova ishte e fundit. Ne nuk ndihemi në presion, e vlerësojmë faktin se kemi arritur deri këtu”, ka thënë Challandes.

“E dimë se na pret një lojë ngazëlluese. Kjo është një situatë e mrekullueshme për ne. Ne e kemi një mundësi dhe mund ta arrijmë kualifikimin, por duhet ta bëjmë një lojë perfekte, një lojë të jashtëzakonshme ndaj një kundërshtari mjaft të fuqishëm”.

E në anën tjetër, trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy, është shprehur më i bindur për fitore, duke insistuar se skuadra e tij nuk e pranon humbjen.

“Ne e kishim filluar mirë ndeshjen në Prishtinë, por i bëmë disa gabime që na kushtuan. Tani nuk duam t’i bëjmë ato gabime për herë të dytë dhe shpresojmë të mos ndodhin sërish nesër. Ne sigurisht që nuk e pranojmë që mund të humbasim”, tha Silhavy.

Skuadrës së Kosovës i mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm, si Arbër Zeneli, Herolind Shala dhe Vedat Muriqi, ndërsa edhe skuadrës së Çekisë i mungon një yll – Patrik Schik.

Dy Kombëtaret po luftojnë për vendin e dytë në Grupin A, përderisa Anglia synon të shpallet fituese e grupit. Dy vendet e para në secilin grup e sigurojnë nga një vend në Evropian.

Kosova mund të ëndërrojë për EURO 2020 edhe nëse pëson disfatë sonte në Çeki, pasi që e ka një vend të siguruar në play-offs për kualifikim në Evropian.

Play-offs do të zhvillohen përmes gjysmëfinaleve dhe një finale. Kosova do të përballet në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut, që luan si vendase. Nëse fiton, në finale e pret Gjeorgjia ose Bjellorusia.

Share Messenger

Më të lexuarat