Bekim Jashari, kandidat i pavarur për kryetar të Skenderajt

Share Messenger

Një veprim i Kadri Veselit, do të jetë determinues për të ardhmen politike të Bekim Jasharit, djalit të heroit të kombit, Hamëz Jasharit.

Nëse kryetari i PDK-së, nuk e mban fjalën për ta kandiduar Nuredin Lushtakun, për kryetar të Skenderajt, ashtu siç ka qenë marrëveshja paraprake, atëherë Jashari siç ka konfirmuar se do t’i futet garës për kryetar të këtij qyteti.

Magazina.al ka biseduar me Bekim Jasharin për ta sqaruar pozicionin e tij karshi zhvillimeve politike që mund të ndodhin në bastionin e PDK-së, Skenderaj.

“Ka kërkesa të shumta që të kandidoj si i pavarur”, ka thënë Jashari duke sqaruar se kandidatura e tij, do të vijë vetëm atëherë nëse Nuredin Lushtaku nuk kandidohet nga PDK-ja dhe në vend të tij rikandidohet Sami Lushtaku.

Në këtë rast në lojë futet Jashari, si kundërkandidat i Sami Lushtakut. “Jo unë nuk do jem kandidat i ndonjë partie. Unë do kandidoj si i pavarur”, ka thënë Jashari për Magazina.al.

Jashari thotë se me dëshirë nuk do t’i futej politikës, por duke e parë nevojën për ndryshime në Skenderaj ai ka menduar që t’i hyjë kësaj gare.

Magazina.al një ditë më herët ka raportuar se Bekim Jashari do ta mbështesë Nuredin Lushtakun për kryetar të Skenderajt. Kurse Nuredin Lushtaku ka thënë se nëse ai nuk do jetë kandidat do ta mbështesë secilin kandidat të pavarur që futet në garë për Skenderajn, por jo atë që propozon PDK-ja.

Zyrtarisht ende nuk dihet nëse Sami Lushtaku do t’i futet garës edhe pse ky i fundit ka rishfaq ambiciet edhe për një mandat ndonëse pas lirimit nga burgu kishte thënë se më nuk do të jetë kandidat për kryetar të Skenderajt.

Share Messenger

Më të lexuarat