Bashkëpunëtori i Albin Kurtit i bashkohet PDK-së (Foto)

Share Messenger

Njëri ndër bashkëpunëtorët e afërt të Albin Kurtit nga Mitrovica, ka zgjedhur që të bëhet pjesë e listës PDK-së për asamble komunale, duke bërë kështu një veprim të papritur në karrierën e tij politike.

Fjala është për Miftar Kurti, i cili ka marrë pjesë edhe në shumë protesta të Vetëvendosje dhe për disa vite me radhë ka mbajtur kontakte personale me Albin Kurtin.

Pjesëmarrja e tij në protesta përkrah Albin Kurtit shihet edhe në këtë foto të siguruar nga portali Veriu.info.

Veriu.info mëson se PDK e ka vlerësuar shumë Miftar Kurtin, duke i ndarë numri 2 në listën e tyre të kandidatëve për asamble komunale, menjëherë pas kryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, i cili ka numrin 1 në listën për asambleist.

Burime të Veriu.info nga komuna e Mitrovicës bëjnë të ditur se pakënaqësia e Miftar Kurtit me VV-në ka filluar në kohën kur ai ka mbetur pa pagë, pasi që ai është drejtor i bibliotekës së qytetit, përderisa VV është në koalicion qeverisës në komunë. Sipas të njëjtit burim, Miftar Kurtit i është vazhduar kontrata për një kohë të caktuar, mirëpo së fundmi nuk është pjesë e listës së pagave, duke mbetur kështu pa të ardhura nga komuna.

Ky kalim i tij në PDK ka ndodhur në kohën kur në qendrën e VV-së në Mitrovicë ka pasur zhvillime interesante, pasi që ky subjekt politik ka vendosur të kandidoj për kryetar komune, shoumenin Fehmi Ferati, i cili vetëm para pak ditësh është anëtarësuar në VV.

Ndryshe, Miftar Kurti gjatë Luftës së UÇK-së ishte ndihmëskomandat në Njësinë Speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, ku është plagosur. Pas luftës u gradua major në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku shërbeu deri më 2009./Veriu.info

Share Messenger

Më të lexuarat