Bale ia ka kërkuar Real Madridit 51 milionë euro për t’u larguar

Share Messenger

Real Madridi dëshiron ta shesë, mirëpo Gareth Bale dëshiron ta vazhdojë karrierën në Santiago Bernabeu. Tani raportohet se e vetmja mënyrë për ta bindur uellsianin të largohet nga Madridi është që Real Madridi t’i japë të gjitha pagat e tre vjetëve të mbetura në kontratën e tij, 51 milionë euro.

E ardhmja e Gareth Bale në Real Madrid nuk është aspak e qartë për momentin. Zinedine Zidane e ka bërë të qartë se uellsiani nuk është pjesë e planeve të tij për sezonin e ardhshëm, mirëpo klubi do ta ketë të vështirë ta shesë atë verës..

Çmimi i lartë i Bale dhe paga që ai e ka në Madrid bën që shumë pak klube evropiane të kenë mundësi financiare për ta përballuar transferimin e tij, edhe nëse e duan një gjë të tillë.

Pasi ai mbeti në stol për të gjithë ndeshjes e fundit të sezonit të Real Madridit, disfatën 2:0 kundër Real Betisit, Radioestadio pretendoi se Bale u kishte thënë bashkëlojtarëve se do të qëndrojë në Madrid dhe do të luajë golf nëse Zidane s’e inkuadron atë në ndeshje.

“I kam edhe tri vjet të mbetura në kontratën time. Nëse ata duan të më largojnë, duhet të m’i paguajnë 17 milionët euro për sezon. Nëse jo, atëherë unë do të qëndroj këtu. Dhe nëse duhet të luaj golf, do të luaj golf”, pretendohet se ka thënë Bale.

Edhe sipas gazetës së madhe spanjolle Sport, Bale ia ka kërkuar Real Madridit 51 milionë eurot e pagës që i takon deri në fund të kontratës për t’u larguar nga Real Madridi.

Siç qëndron situata për momentin, Bale do të kthehet për turneun parasezonal me Real Madridin, edhe nëse Zidane nuk e do atë aty. Kërkesa e Bale për 51 milionë euro ia ka vështirësuar situatën edhe më shumë Florentino Perezit.

Share Messenger

Më të lexuarat