Alarmante: Tre persona preken me virusin e Nilit në Kosovë

12 Shares Share Messenger

Gjatë dhjetë ditëve të fundit në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, janë paraqitur tre pacientë të prekur me virusin e Nilit. Prej këtyre, një grua e moshës rreth 80 vjeçare është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që një person tjetër tashmë ka ndërruar jetë në gusht të këtij viti në Kosovë.

Muajin që lamë pas, janë identifikuar edhe tre pacientë të prekur me virusin e Nilit në Kosovë duke çuar kështu në 6 numrin e të prekurve me këtë virus. Vetëm në shtatorin e këtij viti, dyerve të Klinikës Infektive të QKUK’së ia kanë mësyrë tri gra.

Të njëjtat në pranim nga ana e personelit shëndetësorë, janë vërejtur se kanë simptoma të virusit të Nilit. Virus ky i cili është shpërndarë me të madhe në të gjitha vendet e Ballkanit. Praninë e virusit të Nilit në trupat e këtyre tre pacientëve e ka konstatuar së fundmi Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik në Kosovë në bazë të analizave të bëra.

Detaje rreth gjendjes së këtyre pacientëve ka dhënë të martën për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani. Ai ka sqaruar për gjendjen e tyre shëndetësore duke thënë se një grua është në gjendje më të rëndë.

“Nga data 28 shtator ne në Klinikë Infektive i kemi tri raste të paraqitura me infeksion si dhe të verifikuara nga Instituti Kombëtarë si raste të prekura, apo të infektuara nga virusi i cili në mjekësi njihet si Virusi i Nilit Perëndimor”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka sqaruar se në të tria rastet pacientët janë të gjinisë femërore.

“Kjo është sëmundje virusale, bartës i së cilës janë kafshët e egra, shpendët. Vektor është një llojë mickoje. Të tri këto raste janë të gjinisë femërore. Grupmosha është mjaftë e shtyrë. Dy pacientë janë nga Prishtina si dhe një nga Skenderaj. Gjendja shëndetësore e dy prej këtyre rasteve mund të konstatojmë që është stabile”, ka deklaruar ai.

Ai tha se gruaja e cila është në gjendje më të rëndë, e që i takon moshës 80-vjeçe ka edhe sëmundje tjera kryesisht kronike dhe se Nili ia ka rënduar asaj gjendjen shëndetësore.

“Njëra nga këto raste është në gjendje të rëndë shëndetësore. AJO është e moshuar, ka edhe sëmundje të tjera kardiake, e Nili vetëm sa ja ka rrezikuar gjendjen. Ajo është duke u trajtu në Kujdesin Intenziv. Nili nuk ka arritur në sistemin nervor qendror”, ka thënë tutje infektologu Ramadani.

Ndërkaq gjatë këtij viti Kosova ka shënuar numrin me të lartë që nga pas lufta sa i përket prekjes nga ky virus i cili transmetohet nga kafshët e egra dhe nga shpendët. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti në Infektiven e QKUK’së janë paraqitur 6 raste me Nil, njëri nga ta Sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik ka ndërruar jetë.

“Duke i vendosur këto tri raste së fundmi kjo i bie që këtë vit kanë qenë diku 6 raste që janë prekur nga Nili. Barna për këtë virus nuk ka, jo vetëm tek ne por askund në botë”, ka sqaruar drejtori i Infektives së QKUK’së.

E, përhapja e këtij virusi në Evropë ka lënë të vdekur 17 persona, prej të cilëve nëntë janë nga Serbia, tre nga Greqia.

Simptomat e këtij virusi janë temperaturë, marramendje, vjellje, dhembje e trupit si dhe ënjtje të gjëndrave limfatike dhe përhapet nga pickimi i mushkonjave të infektuara.

Sidoqoftë, ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë në Kosovë prej fillimit të korrikut, në nivel qendror dhe periferik ,janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes, kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Share Messenger

Më të lexuarat