​Pushimet luksoze të Thaçit në Gjermani, aty ku ndër vite kishte qëndruar Obama, Merkel e Sarkozi!

Share Messenger

Kishte paralajmëruar pushime për në fillim të janarit. Madje, Hashim Thaçi ishte treguar modest për vendin se ku do t’i bënte ato. Por në fakt, Brezovica po del se nuk ia ka ofruar luksin që do Presidenti. Ndaj, ai ka udhëtuar për disa dite qetësie 1740 kilometra larg qendrës kosovare të skijimit, për në qytetin Baden–Baden të Gjermanisë. Nuk dihet sa ka paguar Presidenti, por për te kaluar natën në hotelin ku është parë duhet të kesh hiç më pak se 430 euro, e për një javë në suitë mbretërore rreth 27 mijë euro.

Me anë të një fotografie, më 8 janar, Hashim Thaçi na tregoi se është duke pushuar në Brezovicë, ashtu siç kishte paralajmëruar, në fund të vitit të shkuar.

“Si gjithmonë kënaqësi e veçantë të zbuloj shtigjet e mrekullueshme të mbuluara me borë në malet mes Brezovicës e Prevallës”, kishte shkruar Presidenti i vendit, kur kishte shpërndarë një fotografi gjatë një ecjeje në borë.

Por, ai nuk është kënaqur me kaq. Pushimet e të parit të vendit po dalin të kenë qenë më të gjata.

Hashim Thaçi, i cili për dy javë ka qenë në pushime dimërore, javën e shkuar është parë në qytetin turistik Baden-Baden të Gjermanisë, i njohur për banjat me ujëra minerale të nxehta “SPA”.

Gazeta Express ka parë fotografi në të cilën shihet presidenti kosovar, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, derisa kanë shëtitur në një park të njohur aty.

Presidenti Thaçi, përveç ecjes në këtë park, është parë edhe të ketë qëndruar në hotelin luksoz që ndodhet brenda këtij parku të këtij vendi turistik që ndodhet në zonën kufitare mes Gjermanisë dhe Francës.

Bëhet fjalë për “Brenners Park-Hotel & Spa – Oetker Collection Hotel”. Një nga më të njohurit në botë, luksoz dhe me pesë yje. Aty para tij, nder vite, kishin qëndruar ish-presidentët Barack Obama e Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, etj..

Çmimet në hotelin në fjalë startojnë nga 430 Euro për një dhomë klasike dhe shkojnë deri në 3900 për një të ashtuquajtur Suitë Mbretërore. Natyrisht, vetëm për të kaluar natën. Pa shërbimet tjera, që gjithsecila paguhet ekstra.

Në rast se Presidenti i Kosovës ka zgjedhur këtë të fundit, atëherë fjetja për 7 net në hotelin e parkut të qytetit SPA jug-perëndimor të Gjermanisë, ka mundur t’i kushtojë rreth 27 mijë euro.

Por, nëse presidenti dhe shoqëruesit e tij nuk kanë zgjedhur këtë suitë, por ndonjë dhomë dyshe. Atëherë ai ka mundur të paguaj rreth 10 mijë euro për të qëndruar në atë “Delux”.

Kalkulimet që ka bërë Gazeta Express, në ueb-faqen e hotelit, janë për disa data të ndryshme të muajit shkurt. Dhe duke pasur parasysh kohen kur ka qëndruar Presidenti, ato kanë mundur të jenë edhe më të shtrenjta, në fillim të janarit.

Në të dy zgjedhjet qasja në SPA-në e qytetit, mundësohet pa pagesë.

Por, përveç akomodimit luksoz dhe restoranteve elegante, Park Hoteli ofron dhe fusha të Golfit në mes të Pyjeve të Zeza të Gjermanisë dhe maleve Vosges.

Zyra e Presidencës së Kosovës, të hënën, nuk ka komentuar këto pushime të të parit të vendit. E as sa ka shpenzuar e as nëse shpenzimet e këtij udhëtimi luksoz kanë qenë të mbuluara me buxhetin e Republikës së Kosovës, apo janë paguar privatisht.

Zëdhënësit e tij për mediat e as këshilltarët nuk kanë treguar as për sa ditë ka qëndruar Hashim Thaçi në qytetin SPA Baden-Baden të Gjermanisë e as për hotelin në të cilin ka kryer pushimet.

Sidoqoftë, Thaçi të hënën është kthyer në zyrën e tij në Presidencë. Madje, pasdite ai ka dalë në një konferencë pas takimit me ekipin negociator të Kosovës me Serbinë.

Gjatë kohës sa Hashim Thaçi ka qëndruar në pushime, ekipi negociator më 8 janar kishin qëndruar në Bruksel, në një takim që është quajtur njoftues.

E kur i pari i vendit ishte pyetur nëse do të ishte edhe ai i pranishëm, kishte thënë se do të shkonte të skijonte në Brezovicë.

“Kur ata të shkojnë në Bruksel me 8 janar, unë do të jem në Brezovicë për skijim”, kishte thënë i pari i vendit.

Ndërkohë, gjatë ditëve të pushimit të presidentit në Baden-Baden, në Hagë të Holandës janë intervistuar edhe disa ish-komandantë të UCK-së për krime lufte. Të njëjtit kishin qenë edhe bashkëpartiakë me ndikim në PDK, sa Thaçi ishte në krye të partisë.

E gjatë kësaj kohë, në Kosovë arsimtarët dhe profesorët po mbanin greva për t’ua rritur pagat, që mesatarja e tyre konsiderohet të jetë rrethe 450 Euro në muaj. Vetëm 20 euro më pak sesa një natë e vetme që mund të kalohet në dhomën më të lirë të hotelit ku ka qëndruar presidenti.

Pushime luksoze kishte pasur vitin e kaluar edhe Kryeministri Ramshh Haradinaj. Ai kishte qendër për disa net në hotelin “Carlton” në fshatin më të shtrenjtë turistik në botë, Sant Moritz të Zvicrës.

Historia e “Brenners Park-Hotel & Spa – Oetker Collection Hotel”

Që nga hapja e Hotelit në vitin 1872 “Brenners” ka pritur personalitete nga e gjithë bota. Në vitet e hershme, mysafir të hotelit ishin Shahu i Persisë, mbreti i Siamit dhe mbreti i ri Edward VII.

Deri më sot, burrështetas dhe presidentët të ndryshëm janë të mirëpritur në këtë hotel. Aty kishin qëndruar edhe ish i pari i SHBA-së, Barack Obama, presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në historinë e hotelit shkruhet se në vitin 1907 ishte në vizitë Mbreti Chulalongkorn i Siamit dhe Laosit.

Më 15 shkurt 1962, në këtë hotel u mbajtën bisedimet paraprake mbi Traktatin e Miqësisë franko-gjermane. Që nga kjo datë, si një moment historik në rrugën për në një Evropë të bashkuar, “Brenners” u shpall “Djepi i Evropës”.

I pranishëm ishte edhe Kongresi Olimpik XI dhe sesioni i 84’të IOC në Baden-Baden dhe Brenners bashkë me Juan Antonio Samaranch, kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Olimpike.

Në këtë hotel u mbajt edhe një takim midis kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe presidentit francez Jacques Chirac në samitin e 66-të franko-gjerman. /GazetaExpress/.

Share Messenger

Më të lexuarat